Mbrojtja e të dhënave personale në kuadër të shkëmbimit të informacionit për qëllime të hetimit dhe ndjekjes penale është një nga kolonat e rëndësishme të “Marrëveshjes për bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe EUROJUST”, të ratifikuar nga Kuvendi me ligjin nr. 113/2018. Autoriteti zbatues i kësaj marrëveshje nga pala shqiptare është Prokuroria e Përgjithshme dhe në përmbushje të detyrimeve të saj në fushën e mbrojtjes së të dhënave, znj. Arta Marku dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, nënshkruan një “Planveprimi”.

Të dy këto institucione do të ngrenë një grup pune për të vlerësuar përpunimin e të dhënave personale në veprimtarinë e prokurorisë në nivel qendror dhe vendor, si dhe për të adresuar të gjitha problematikat që do të konstatohen në këtë proces. Zyra e Komisionerit do të asistojë organin e akuzës në zbatimin e standardeve më të larta për masat tekniko-organizative për sigurinë e të dhënave. Po ashtu, do të bashkëpunohet për të përshtatur Rregulloren e Mbrojtjes së të Dhënave Personale të Prokurorisë së Përgjithshme me detyrimet specifike të Marrëveshjes me EUROJUST.

Në tjetër pikë me rëndësi e “Planveprimit” është edhe krijimi i “Regjistrit për komunikimet mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe EUROJUST”. Ky dokument është një mekanizëm për garantimin, në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe atë ndërkombëtar të fushës, të të drejtave të qytetarëve gjatë ushtrimit të veprimtarisë së organit të akuzës. Njëkohësisht, “Planveprimi” ka përcaktuar dhe afate konkrete në realizimin e gjitha këtyre masave.

Dokumenti i “Planveprimit”