Në 28 Janar – Ditën e Mbrojtjes së të Dhënave Personale, Zyra e Komisionerit prezantoi nismën “Luaj dhe mëso – Happy Onlife”. Në mjediset e shkollës 9-vjeçare “Kosova” u zhvillua aktiviteti festiv me nxënës e mësues ku kjo iniciativë është promovuar, me mbështetjen dhe koordinimin e Drejtorisë Arsimore të Tiranës.

Komisioneri, z. Besnik Dervishi, vlerësoi rëndësinë e kësaj date, për edukimin e brezit të ri me njohuri të plota për garantimin e privatësisë dhe mbrojtjen e të dhënave të tyre personale, sidomos gjatë përdorimit të mjedisit digjital.

Aktivitetin e përshëndetën të ftuarit e nderit, znj. Vasilika Hysi, Nënkryetare e Kuvendit; z. Olsi Dekovi, Zv/kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës; z. Claudio Pala, përfaqësuesi i Prezencës së OSBE dhe z. Aurelian Juliard, Përfaqësues i Delegacionit të BE.

Nxënës nga secila prej shkollave pjesëmarrëse në këtë nismë të Zyrës së Komisonerit: “Kosova”, “E Kuqe”, “Jeronim de Rada”, “Edith Durham”, “Emin Duraku” dhe “Dora D’Istria”, zhvilluan një demonstrim të lojës. Ajo është përgatitur nga Qendra e Bashkuar Kërkimore e Bashkimit Evropian (Joint Research Centre) për grup-moshën 8-14 vjeç. Loja “Happy Onlife” ka për qëllim ndërgjegjësimin dhe zgjerimin e njohurive për mbrojtje efektive nga fenomene negative si bullizmi, kontaktet e padëshiruara në internet apo vjedhja e identitetit, sidomos në rrjetet sociale. Nga studimet e kohëve të fundit, si në Shqipëri ashtu edhe në botë, rezulton se të rinjtë janë gjithnjë e më shumë përdorues të teknologjive digjitale, rrjedhimisht dhe më të ekspozuar ndaj rreziqeve në internet.

Prej 2006, 28 Janari është vendosur si “Dita e Mbrojtjes së të Dhënave Personale” nga Këshilli i Evropës, ndërsa në botë njihet si “Dita e Privatësisë”.