Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në bashkëpunim me Universitetin “Epoka” zhvilluan trajnimin me temë “Informim dhe Privatësi”, ku pjesëmarrës ishin 60 studentë dhe staf akademik e administrativ. Takimi u mbajt në kuadër të aktiviteteve për 28 Janarin 2019 – Ditën Ndërkombëtare të Mbrojtjes së të Dhënave Personale.

Komisioneri, z. Besnik Dervishi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit tashmë të konsoliduar të Autoritetit me institucionet e arsimit të lartë në njohjen e legjislacionit, për më shumë ndërgjegjësim dhe edukim të shoqërisë për respektimin e të drejtave të qytetarëve. Në emër të Universitetit “Epoka” përshëndeti z. Nituon Mulleti, drejtues i Departamentit të Drejtësisë.

Temat e trajtuara në këtë aktivitet ishin njohja me legjislacionin shqiptar të mbrojtjes së të dhënave personale dhe veprimtarinë e kompetencat e Zyrës së Komisionerit. Njëkohësisht, në këtë modul u prezantuan edhe risitë e Rregullores së Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave në BE (GDPR). Në trajnim u prezantuan detyrimet e “kontrolluesit” që e ushtrojnë aktivitetin e tyre në sektorin e arsimit të lartë (publik apo privat) dhe eksperiencën e Zyrës së Komisionerit në këtë fushë. Po ashtu, iu kushtua vëmendje mbrojtjes së të dhënave personale në raport me përdorimin e sistemeve të videosurvejimit (CCTV), të drejtave të “subjektit të të dhënave” dhe detyrimeve të “kontrolluesit”. Pjesë tjetër e këtij trajnimi ishte edhe njohja me legjislacionin për të drejtën e informimit, rolin e funksionet e koordinatorit, programi i transparencës së Autoriteteve Publike dhe raste praktike nga veprimtaria e Zyrës së Komisionerit. Gjithashtu, për të pranishmit u prezantua edhe tematika e mbrojtjes së të dhënave personale në raport me rrjetet sociale, si dhe njohuri e risi rreth inteligjencës artificiale.