Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut të Kuvendit të Shqipërisë zhvilloi në mjediset e Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale një takim me tematikë informuese dhe monitoruese për veprimtarinë e institucionit për periudhën janar-dhjetor 2018. Në këtë takim ishin të pranishëm, Kryetari i këtij Komisioni, z. Ulsi Manja dhe anëtarët znj. Vasilika Hysi – njëkohësisht, Nënkryetare e Kuvendit, znj. Klotilda Bushka, z. Bashkim Fino, z. Bledi Çuçi, z. Alket Hyseni, z. Edmond Leka dhe z. Jurgis Çyrbja.

Sipas agjendës së takimit, Komisioneri, z. Besnik Dervishi, i njohu deputetët me rolin e Autoritetit si institucion i pavarur dhe përgjegjës për mbikëqyrjen dhe monitorimin e akteve rregullatore, ligjit “Për të drejtën e informimit” dhe atë “Për mbrojtjen e të dhënave personale”. Të pranishmit u informuan mbi veprimtarinë e kontrollit dhe hetimeve administrative lidhur me respektimin e të drejtës për informim dhe mbrojtjen e të dhënave personale; hetimeve proaktive me iniciativë të Zyrës së Komisionerit në lidhje me procesin e mbledhjes/përpunimit të të dhënave personale nga kompanitë e mëdha publike dhe private dhe mbi ecurinë e transparencës së Autoriteteve Publike, me fokus të veçantë ministritë dhe organet e pushtetit qendror. Komisioneri dhe stafi iu përgjigjën pyetjeve dhe interesimit të deputetëve për një sërë çështjesh në të dy fushat e kompetencave të institucionit, si dhe për sfidat kryesore në të ardhmen për përmirësimin e standardeve ligjore në garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve.

Në përfundim të takimit, Kryetari i Komisionit, z. Manja vlerësoi punën e deritanishme të Zyrës së Komisionerit, duke konfirmuar dhe përkrahjen e plotë të Kuvendit të Shqipërisë në të ardhmen. Njëkohësisht, ai garantoi mbështetjen e këtij institucioni për zhvillimin me sukses të Konferencës së 41-të Ndërkombëtare të Komisionerëve të Privatësisë dhe Mbrojtjes të Dhënave në Tiranë, në 21-24 tetor 2019.