3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Veprimtaria e pushtetit vendor në raport me balancën mes të drejtës për informim dhe mbrojtjes së të dhënave personale

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE në Shqipëri, përmbyllën, me takimin në Kukës, projektin e trajnimeve rajonale me tematikë “E drejta për informim dhe mbrojtja e të dhënave personale, njohja me detyrimet e ligjeve respektive”. Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve qendrore në nivel vendor, të organeve të vetëqeverisjes vendore, të sistemit të drejtësisë, policisë, medias, etj.

Z. Besnik Dervishi në fjalën e tij theksoi se trajtimi në balancë i të drejtës për informim me atë për mbrojtjen e të dhënave personale është një nga faktorët kryesorë në veprimtarinë e Autoriteteve Publike. “Këto dy të drejta zhvillohen me shpejtësi dhe intensitet, duke u bërë gjithnjë e më të rëndësishme në aktivitetin tonë të përditshëm. Zyra e Komisionerit ka reflektuar praktikat dhe eksperiencat më të mira evropiane, në mënyrë që të mbrohet privatësia e individit edhe kur jepet informacion për dokumentacionin zyrtar” – tha Komisioneri.

Në trajnim foli dhe përfaqësuesi i Prezencës së OSBE në Shqipëri, z. Claudio Pala, i cili vlerësoi se “legjislacioni për mbrojtjen e të dhënave personale nuk mund të zbatohet në mënyrën e duhur pa bashkëpunimin e institucioneve shtetërore dhe subjekteve të tjera publike apo private”. Takimin e përshëndeti edhe Prefekti i Qarkut, z. Zenel Kuçana.

Në trajnim u prezantuan detyrimet kryesore në zbatim të ligjit 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” dhe ligjit 119/2014 “Për të drejtën e informimit”. Një vëmendje e veçantë iu kushtua Rekomandimit 11/2016 të Komisionerit dhe Programit model të Transparencës për organet vetëqeverisjes vendore, të miratuar në muajin shtator 2018. Nëpërmjet prezantimit edhe të rasteve konkrete, takimi kishte për qëllim orientimin e duhur të Autoriteteve Publike.