Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale zhvilloi një trajnim me ftesë të shkollës së mesme jo publike “Turgut Ozal”. Në këtë takim, ku të pranishëm ishin mësues dhe staf administrativ, u trajtua ligji “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, ai për “Masat shtesë të sigurisë publike”, si dhe akte nënligjore të Komisionerit.

Znj. Pjerina Gaxha, Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, prezantoi parimet kryesore të mbrojtës së të dhënave personale, kompetencat e Autoritetit dhe raste konkrete nga veprimtaria e Zyrës së Komisionerit në këtë fushë. Në mënyrë të zgjeruar u trajtuan si të drejtat e “subjektit” të të dhënave – informimi, aksesi, korrigjimi, bllokimi apo fshirja, ashtu edhe detyrimet e “kontrolluesit” për një proces transparent, të përgjegjshëm e të sigurt të grumbullimit/përpunimit të tyre. Vëmendje iu kushtua elementëve të tillë, si procedura e “njoftimit”, hartimi i “rregullores” së mbrojtjes së të dhënave dhe rolit e funksionet e “personit të kontaktit”. Nga ana tjetër, përmbushja e detyrimeve të ligjit “Për masat shtesë të sigurisë publike” dhe aktit nënligjor të Komisionerit në zbatim të tij, merr një rëndësi të veçantë për vetë natyrën e sektorit të arsimit. Në prezantim u fol për subjektet e këtij ligji, për detyrimet e tyre si “kontrollues” apo dhe për llojet e masave shtesë të sigurisë në kuptimin teknik.