3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Mbrojtja e të dhënave personale në sistemin e kujdesit shëndetësor

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE në Shqipëri, organizuan aktivitetin me temë “Rregullat në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale në sistemin e kujdesit shëndetësor”. Pjesëmarrës në këtë takim ishin përfaqësues nga institucionet publike dhe subjektet private që ushtrojnë veprimtarinë në sektorin e shëndetësisë.

Z. Besnik Dervishi, në fjalën e tij, theksoi domosdoshmërinë që ka procesi i ndërgjegjësimit të qytetarëve, e nga ana tjetër, funksionimin e një mekanizmi të qëndrueshëm garancish nga operatorët e sistemit. “Shëndetësia është një nga fushat më të rëndësishme për sa i përket mbrojtjes së të dhënave personale, për numrin e madh të përpunimit të tyre, por edhe natyrën sensitive të këtyre të dhënave. Zyra e Komisionerit e ka në vëmendje këtë sektor, duke nxitur investimin në burime njerëzore të kualifikuara dhe në sisteme që garantojnë sigurinë e të dhënave personale” – vlerësoi Komisioneri.

Takimin e përshëndeti znj. Bardhylka Kospiri, zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e cila tha se bashkëpunimi me Zyrën e Komisionerit është i vazhdueshëm për ta përmirësuar gjithnjë e më shumë sistemin edhe në këtë aspekt. Në fjalën e tij, z. Emir Kamenica, tha se Prezenca e OSBE do të mbështesë nisma të kësaj natyre për garantimin e të drejtave të njeriut. Ndërsa, z. Fatmir Brahimaj, President i Urdhrit të Mjekëve e vlerësoi si në momentin dhe me tematikën e duhur këtë takim.

Znj. Pjerina Gaxha, Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, mbajti një prezantim për të pranishmit, ku i njohu me ligjin nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, me aktet nënligjore të fushës, si dhe trajtimin e rasteve konkrete. Në këtë trajnim i ftuar ishte eksperti i njohur ndërkombëtar i fushës, z. Angelo Trapana’, President i Unionit Kombëtar të Organizmave të Akredituar në Romë. Nëpërmjet eksperiencës italiane dhe më gjerë, prezantimi i tij trajtoi procesin e certifikimit të institucioneve/kontrolluesve të sistemit shëndetësor.