“Testi i interesit publik” ishte tema e trajnimit të zhvilluar me stafin e Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale nga z. Kevin Dunion, ish-Komisioneri i Informimit të Skocisë dhe një nga ekspertët më të njohur ndërkombëtarë në këtë fushë. Trajnimi është pjesë e aktiviteteve në kuadër të “Projektit të Binjakëzimit Anti-korrupsion Shqipëri-BE”.

Nga një analizë e ligjit 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, z. Dunion e vlerësoi në tërësi atë si mjaft bashkëkohor. Kufizimet e shprehura në neni 17 të ligjit, në mënyrë të veçantë, përbëjnë atë që konsiderohet si “Testi i interesit publik”. Çdo institucion duhet që, nëpërmjet tij, të përcaktoj faktorët për garantimin e të drejtës për informim. Ky proces detajon edhe masat për këtë qëllim, përmbushja e të cilave nga Autoritetet Publike do të rrisin transparencën, llogaridhënien dhe integritetin në raport me qytetarin.

Gjatë trajnimit u diskutua për raste konkrete nga veprimtaria e Zyrës së Komisionerit dhe zgjidhjen e tyre. U vlerësua se eksperienca e akumuluar nga Autoriteti është kontribut për ndryshimin e kulturës së administratës publike në drejtim të hapjes e transparencës së saj.