Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Ministria e Drejtësisë organizuan Forumin e 3-të Konsultativ Anti-korrupsion me temë “E drejta për informim”. Të pranishëm në këtë takim ishin përfaqësues të Autoriteteve Publike, të botës akademike, nga organizata të shoqërisë civile dhe media. Forumi është pjesë e agjendës së “Projektit të Binjakëzimit Anti-korrupsion Shqipëri-BE”. Zhvillimi i tij ishte, njëkohësisht, një nga aktivitetet e mbajtura me rastin e “28 Shtatorit – Ditës Ndërkombëtare të të Drejtës për Informim”

Z. Besnik Dervishi prezantoi legjislacionin për të drejtën e informimit, risitë dhe sfidat e tij dhe rolin mbikëqyrës të Zyrës së Komisionerit. “Në këta 4 vjet, vlerësojmë se institucionet shtetërore kanë bërë përpjekje të dukshme për përmbushjen e detyrimeve të ligjit 119/2014 “Për të drejtën e informimit”. Reforma për ndryshimin e mentalitetit të administratës publike është po aq me rëndësi sa edhe reforma në sistemin e drejtësisë. Përmirësimi i ligjit është rruga drejt standardeve më të larta për garantimin e transparencës dhe llogaridhënies së Autoriteteve Publike” – tha Komisioneri.

Znj. Teuta Vodo, zëvendësministër i Drejtësisë, nënvizoi rëndësinë e zhvillimit të takimit. Ajo tha se Qeveria është e angazhuar maksimalisht në përmbushjen e detyrimeve në kuadër të procesit të integrimit evropian, duke përfshirë edhe zbatimin e masave anti-korrupsion.

Në Forum, znj. Ersida Sefa, përfaqësuese e Fondacionit “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”, diskutoi për temën “E ardhmja digjitale e të drejtës për informim”. Znj. Eralda Met’hasani Çani, përfaqësuese e botës akademike, prezantoi risitë e “Kodit të Procedurave Administrative në raport me të drejtën e informimit”. Ndërsa, z. Njazi Jaho, këshilltar ligjor pranë Komitetit Shqiptar të Helsinkit foli për marrëdhënien e qytetarit me këtë të drejtë dhe liri themelore. Në takim, diskutuan edhe znj. Rovena Sulstarova, përfaqësuese e Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, për transparencën e organeve të vetëqeverisjes vendore; si dhe znj. Kristina Voko, nga BIRN Albania, për raportin e medias me të drejtën e informimit.