Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi dhe Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave dhe Lirinë e Informimit të Landit Baden-Württemberg në Gjermani, z. Stefan Brink, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit mes dy institucioneve.

Z. Besnik Dervishi, gjatë fjalës së tij në ceremoninë e nënshkrimit, vlerësoi si mjaft të rëndësishëm bashkëpunimin me Autoritetin e Landit të Baden-Württemberg. “Ne kemi disa marrëveshje me Autoritete të ndryshme homologe për mbrojtjen e të dhënave personale. Por kjo është e veçantë, sepse është e para që përfshin edhe veprimtarinë e të drejtës për informim. Zyra e Komisionerit është e angazhuar maksimalisht për të qenë sa më aktive në projekte dhe në bashkëpunimin ndërkombëtar” – theksoi Komisioneri. Ndërsa, z. Stefan Brink nënvizoi në fjalën e tij se “secili do të kontribuojë në këtë marrëveshje me traditën dhe asetet e tij institucionale. Njëkohësisht, Autoriteti që përfaqësoj është i gatshëm t’ju mbështesë maksimalisht në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian”.

Marrëveshja synon, që shkëmbimi i eksperiencës dhe praktikave më të mira në zbatimin e legjislacionit respektiv kombëtar në të dy këto fusha, të garantojë standarde bashkëkohore për liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve. Kjo marrëveshje është pjesë e aktiviteteve të parashikuara nga “Projekti i Binjakëzimit Antikorrupsion”, pjesë e të cilit është edhe Zyra e Komisionerit dhe që zbatohet në vendin tonë nga një konsorcium gjermano-austriak.

Dokumenti mban në konsideratë përmirësimet e rëndësishme ligjore në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale (Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave në BE dhe modernizimin e Konventës 108 të Këshillit të Evropës), si dhe kuadrin ligjor evropian përsa i përket të drejtës për informim. Palët angazhohen të organizojnë dhe zhvillojnë një sërë aktivitetesh të përbashkëta. Njëkohësisht, Autoritetet do të shkëmbejnë informacion për ndryshimet e kuadrit ligjor/rregullator në të dy fushat, me synimin për përmirësimin e vazhdueshëm të tij.

Një ditë më parë, Komisioneri i Landit të Baden-Württemberg, z. Stefan Brik, zhvilloi një seancë trajnimi për stafin e Zyrës së Komisionerit, ku prezantoi veprimtarinë dhe drejtimet kryesore të punës së Autoritetit që drejton.

Marrëveshja e bashkëpunimit