“Këshilli Konsultativ Qeverisje Qendrore – Vetëqeverisje Vendore” zhvilloi takimin e rradhës për shqyrtimin e disa dokumenteve për përmirësimin e veprimtarisë së organeve të pushtetit vendor, ku prezantimi i Modelit të ri të Programit të Transparencës për organet e vetëqeverisjes vendore bënte pjesë në agjendën e diskutimit. Në kuadër të Projektit STAR 2, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka kontribuuar për hartimin e tij.

Komisioneri, z. Besnik Dervishi në këtë takim vlerësoi disa tregues të punës së deritanishme për zbatimin e ligjit “Për të drejtën e informimit” për këto Autoritete Publike. “Është e para kategori të cilën Zyra e Komisionerit e vlerësoi si prioritare, për shkak të raportit të veçantë të organeve të vetëqeverisjes vendore me qytetarët. Nuk mund të mohoj në asnjë rast ndryshimet pozitive që prej hyrjes në fuqi të ligjit, ashtu si edhe konstatimin e asaj çfarë mbetet ende për t’u bërë. Zbatimi i të drejtës kushtetuese për informim kërkon reformimin dhe transformimin e thellë të një praktike dhe mentaliteti pune të mbyllur të institucioneve shqiptare” – tha Komisioneri.

Hartimi i Programit të ri Model të Transparencës është pjesë e planit të veprimit të “Strategjisë së Reformës në Administratën Publike”. Në përfundim të procesit të konsultimit, Programi do të miratohet nga Komisioneri dhe do të zbatohet nga të gjitha bashkitë, në funksion të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies së organeve të vetëqeverisjes vendore.