Rritja e aksesit dhe njohurive për veprimtarinë e Autoriteteve Publike është një prej elementeve të rëndësishëm të politikave antikorrupsion. Për tre ditë me rradhë, u zhvilluan trajnime në mjediset e Qendrës për Përhapje dhe Dialog në Kryeministri (COD), në kuadër të “Projektit të Binjakëzimit Antikorrupsion Shqipëri-BE”, me koordinimin e Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Në këto trajnime pjesëmarrës ishin koordinatorët e të drejtës për informim të ministrive dhe përfaqësues të strukturave të auditimit të brendshëm dhe njësive të prokurimit publik në këto institucione dhe ato të varësisë. Të ftuara për të mbajtur prezantime ishin znj. Anamarija Musa, Komisionere për të Drejtën e Informimit e Kroacisë dhe ekspertja e projektit znj. Lena Andersson, nga Suedia. Trajnimet u përqëndruan tek procesi i dhënies së informacionit publik në përputhje me veprimtarinë specifike institucionale dhe mekanizmat ligjore në fuqi. Ndërveprimi i Autoriteteve Publike me qytetarët, organizatat e shoqërisë civile apo median në drejtim të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies është faktor për të minimizuar korrupsionin.