3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Vetë-rregullimi i mediave online

“Mekanizmat vetë-rregulluese të medias online” ishte tema e tryezës së rrumbullakët ku u prezantua Këshilli Shqiptar i Medias dhe Bordi i Etikës i ngritur pranë tij. I ftuar për të përshëndetur takimin ishte dhe z. Besnik Dervishi, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Z. Dervishi e vlerësoi iniciativën dhe theksoi se “instrumentat dhe mekanizmat për garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut janë të plota në legjislacionin kombëtar. Me zhvillimin në tërësi të medias e asaj online, veçanërisht, liria e shprehjes, e drejta për t’u njohur me informacionin zyrtar dhe e drejta për një jetë private ndërthuren dhe shpesh konkurojnë njëra-tjetrën. Respektimi i kodit të etikës është rruga për të diferencuar “interesin publik” nga “interesi për publikun” në veprimtarinë e medias”.

“Reforma rregullatore në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale, modernizimi i Konventës 108 të KiE dhe hyrja në fuqi e Rregullores së Përgjithshme (GDPR) në BE” – tha z. Dervishi – “janë momente të rëndësishme edhe për Shqipërinë, për përafrimin e legjislacionit të saj në këtë drejtim. Sfida është e madhe për Këshillin e Medias për adresimin e problematikave që hasen në median online, për standarde më të larta të respektimit të të drejtave të qytetarëve”.

Këshilli Shqiptar i Medias është një forum vetë-rregullues, që nëpërmjet respektimit të parimeve etike, nxit të vërtetën, integritetin dhe besueshmërinë e mediave.