3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Zyra e Komisionerit pjesëmarrëse në “Forumin e Qeverisjes së Internetit në Shqipëri”

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mori pjesë në takimin e parë themelues të “Forumit të Qeverisjes së Internetit në Shqipëri”, organizuar nga shoqata me të njëjtin emërtim.

Internet Governance Forum – Forumi i Qeverisjes së Internetit, është një iniciativë e shoqërisë civile e miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe mbikëqyret nga një Sekretariat i posaçëm (UN-IGF Secretariat). Nisma ka për qëllim bashkëpunimin e të gjithë aktorëve, si publikë ashtu edhe privatë, për krijimin e standardeve rregullatore në këtë fushë. Në këtë takim të parë, të zhvilluar në mjediset e Qendrës COD në Kryeministri, morën pjesë përfaqësues nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike, Sekretariati i OKB për Qeverisjen e Internetit, nga bota akademike, shoqëria civile, kompani të ndryshme të sektorit TIK dhe grupe interesi, media, etj.

Dy ishin tematikat ku u fokusua takimi: qeverisja e internetit parë në optikën e perspektivës së zhvillimit të fushës në vendin tonë, si dhe sfidat e sigurisë kibernetike. Zyra e Komisionerit u përfaqësua në këtë forum nga znj. Pjerina Gaxha, Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes së të Dhënave Personale. Ajo i njohu të pranishmit me funksionet mbikëqyrëse të Autoritetit në zbatim të ligjit nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” dhe qasjen ndërgjegjësuese për qytetarët për përdorimin e sigurt të internetit dhe rrjeteve sociale.