3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Takim me një grup gazetarësh nga Republika e Maqedonisë

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mirëpriti në një takim pune një grup gazetarësh, përfaqësues të medias maqedonase. Vizita e tyre pranë Autoritetit ishte pjesë e turit në Shqipëri, i cili fokusohej kryesisht në gazetarinë investigative, në kuadër të shkëmbimit të eksperiencës mes BIRN-Macedonia dhe BIRN-Albania.

Gjatë takimit, të pranishmit u informuan për rolin dhe funksionet e Zyrës së Komisionerit në mbikëqyrjen e ligjit 119/2014 “Për të drejtën e informimit”. Zbatimi i këtij ligji, së bashku dhe me akte të tjera rregullatore, përbëjnë procesin e reformës së ndryshimit të mentalitetit të administratës publike shqiptare. Në vlerësimin e Zyrës së Komisionerit, përmbushja e detyrimeve të legjislacionit për të drejtën e informimit ka dhënë rezultate të prekshme për qytetarët, organizatat e shoqërisë civile dhe gazetarët, në respektimin e të drejtës për t’u informuar me dokumentet zyrtare.

Komisioneri iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, duke theksuar se transparenca dhe llogaridhënia e Autoriteteve Publike ka ardhur gjithnjë duke u përmirësuar. Ky është një proces që kërkon konsolidim të vazhdueshëm, si në pikëpamjen legjislative, ashtu edhe në atë administrative. Nga ana tjetër, Zyra e Komisionerit zhvillon aktivitete trajnuese kombëtare dhe rajonale, duke iu ofruar asistencën e nevojshme Autoriteteve Publike për zbatimin e detyrimeve ligjore.

Kontributi i shoqërisë civile ka qënë cilësor që në periudhën para miratimit të këtij ligji, por sidomos, pas hyrjes së tij në fuqi. Numri më i madh i ankesave të regjistruara pranë Zyrës së Komisionerit i përket organizatave jo fitimprurëse dhe organeve të medias – së shkruar, elektronike dhe asaj online. Në vlerësimin e institucionit, bashkëpunimi me to është i rëndësishëm dhe i vazhdueshëm, duke qënë se objektivi është i përbashkët – transparenca e Autoriteteve Publike.