Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale u njoh me qëndrimet e Komitetit Shqiptar të Helsinkit të shprehura në konferencën për shtyp të datës 29 janar 2018, ku pretendon se ka vonesa në vendimmarrjen e Zyrës së Komisionerit mbi disa ankesa të paraqitura për mos dhënie informacioni nga ana e disa institucioneve të përfshira në procesin e vettingut.

Qëndrimit të KSHH i është referuar edhe një kronikë e televizonit Vizion Plus, duke komentuar që në titull se “Komisioneri i Informimit shkeli ligjin” dhe nuk jep përgjigje për pasuritë e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Për sa më sipër, Zyra e Komisionerit sqaron opinionin publik se në lidhje me ankesat e KSHH ka realizuar procesin e hetimit administrativ. Pas daljes së urdhërit të Komisionerit, janë kryer inspektimet pranë Autoriteteve Publike: Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe Prokuroria e Përgjithshme. Në përputhje me detyrimet ligjore, si dhe për të patur një vendimmarrje sa më objektive, janë realizuar edhe seanca dëgjimore me pjesëmarrjen e palëve.

(Foto i referohet seancave dëgjimore me KSHH)

Zyra e Komisionerit është në fazën e hartimit të akteve përfundimtare dhe do të dalë me vendimmarrje brenda afateve ligjore dhe proceduriale.

Zyra e Komisionerit vlerëson maksimalisht procesin e vettingut dhe kërkesat për transparencë të shoqërisë civile mbi këtë proces dhe ashtu si edhe më parë, garanton angazhimin maksimal për të dhënë kontributin në transparencën e kësaj reforme të rëndësishme.

Gjithashtu, Zyra e Komisionerit sqaron opinionin publik se nuk mund të bëhet pengesë për dhënien e informacionit nga institucionet e përfshira në procesin e vettingut mbi pasuritë e prokurorëve dhe gjyqtarëve, për arsyen e thjeshtë, se nuk është në objektin e veprimtarisë së saj.

Përfitojmë nga rasti, për të ftuar Komitetin Shqiptar të Helsinkit të depozitojë autorizimin e përfaqësimit për seancat dëgjimore, për shkak se ky hap procedurial po bëhet pengesë për vendimmarrjen.