Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ishte i ftuar në takimin “Mbi forcimin dhe ngritjen e kapacitetit të rrjetit të avokatëve të rinj” të organizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit.

Z. Besnik Dervishi informoi të pranishmit me kuadrin rregullator, duke u fokusuar tek praktikat që zbaton Zyra e Komisionerit mbi kërkesat në lidhje me informacionin e klasifikuar dhe çështjet e korrupsionit dhe tenderat/prokurimet publike. “Efikasiteti në luftën kundër korrupsionit duke përmbushur detyrimet e ligjit 119/2014 “Për të drejtën e informimit” garanton transparencën e Autoriteteve Publike dhe rrit besimin e qytetarëve tek institucionet. Ndryshimi i mentalitetit të administratës publike shqiptare është një reformë po aq e rëndësishme sa edhe ajo në sistemin e drejtësisë. Ligji 146/2014 “Për njoftim dhe konsultimin publik” është një tjetër instrument i rëndësishëm në procesin e llogaridhënies së institucioneve në funksion të interesit publik” – tha z. Dervishi.

Zyra e Komisionerit vlerëson partneritetin e krijuar me Komitetin Shqiptar të Helsinkit, si një nga organizatat kryesore të shoqërisë civile që nxit zbatimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.