Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ishte i ftuar në “Forumin e 3-të për Zhvillimin e Medias” të organizuar nga Prezenca e OSBE (Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë) në Shqipëri.

Z. Besnik Dervishi në fjalën e tij, si pjesë e panelit “Sfidat lidhur me lirinë e medias në vend – Mbrojtja e të dhënave personale dhe aksesi në informacion, shpifja dhe fenomeni i lajmeve të rreme”, trajtoi detyrimet e Zyrës së Komisionerit për bërjen e balancës mes dy të drejtave, asaj për një jetë private dhe të drejtës për informim. “Vendimmarrja e Komisionerit është udhëhequr nga parimi i proporcionalitetit në rastet e ndërthurjes së dy të drejtave. Nga ana tjetër, duhet të nxisim dhe forcojmë kulturën e transparencës, ku media ka rolin e saj. Në këtë këndvështrim, rëndësi të veçantë ka dallimi midis saj që paraqet interesi publik, nga ajo që është thjesht interesi për publikun” – tha z. Dervishi.

Ekspertë vendas dhe të huaj diskutuan gjerësisht për zhvillimin e medias – përfshi dhe atë online – për përmbajtjen dhe respektimin e etikës profesionale, vetërregullimin e sektorit, duke marrë në konsideratë praktikat më të avancuara evropiane në këtë fushë.