3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

“Mbrojtja e privatësisë në media”, workshop i organizuar nga Zyra e Komisionerit dhe Këshilli i Evropës

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës, bashkëorganizojnë workshop-in me temë “Mbrojtja e privatësisë në media”.

Në këtë trajnim marrin pjesë përfaqësues të institucioneve qendrore, nga sistemi i drejtësisë, autoriteteve të pavarura, shoqërisë civile, medias etj. Ekspertë vendas dhe të huaj mbajnë prezantime për çështje që kanë të bëjnë me mbrojtjen e privatësisë në raport me punën e medias dhe Reformën legjislative evropiane në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.

Në përshëndetjen e tij, z Besnik Dervishi vlerësoi se “në një shoqëri demokratike, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, dhe në rastin tonë ndërthurja e lirisë së shprehjes me të drejtën për informim dhe mbrojtjen e të dhënave personale, janë garanci të patjetërsueshme për qytetarët e vendit. Legjislacioni që rregullon të drejtën për informim përbën një instrument të domosdoshëm në procesin e llogaridhënies dhe forcimin e kulturës së transparencës, ku media ka rolin e vet në informimin e publikut në funksion të interesit publik”.

Aktivitetin e përshëndeti dhe z. Claus Neukirch, kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Shqipëri, i cili theksoi se e drejta për lirinë e shprehjes dhe të drejtës për jetë private duhet të balancohen në mënyrën e duhur nëpërmjet legjislacionit dhe në praktikën gazetareske dhe gjyqësore. “Balancimi i këtyre dy të drejtave themelore kërkon ruajtjen e parimeve kryesore që ato mbartin” – tha ai. Ndërsa, z. Musa Ulqini, anëtar i Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik të Kuvendit tha se “Zyra e Komisionerit është një institucion i pavarur dhe i konsoliduar, pavarësisht se në Shqipëri është e vështirë të jesh i pavarur, por ka krijuar kredibilitet në këto 10 vite të funksionimit të saj”.

Të drejtat e qytetarëve nga media, si temë kryesore në këtë workshop, vlerëson qasjet dhe këndvështrimet e ndryshme në trajtimin e tyre, duke u udhëhequr nga etika dhe përgjegjshmëria profesionale. Gjithashtu, diskutohet për risitë që do të sjellë Rregullorja e Përgjithshme e Mbrojtjes së të Dhënave të Bashkimit Evropian, me hyrjen e saj në fuqi në maj të 2018-s; si dhe propozimet për modernizimin e Konventës 108-të të Këshillit të Evropës. Të dy këto dokumenta përbëjnë bazën kryesore rregullatore në kontinentin evropian për trajtimin e standardizuar të problematikave që lindin gjatë përpunimit të të dhënave personale, duke garantuar privatësinë e individit.