Në Konferencën e 39-të Ndërkombëtare të Komisionerëve të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Privatësisë (ICDPPC) u zhvilluan zgjedhjet për kreun dhe anëtarët e rinj të Komitetit Ekzekutiv. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, u zgjodh anëtar-vëzhgues në këtë forum. Prej tetorit  2018, ai do të jetë anëtar me të drejta të plota në organin më të lartë drejtues të organizatës. Roli i Komitetit Ekzekutiv është hartimi i politikave dhe dokumenteve të Konferencës Ndërkombëtare, si dhe koordinimi i punës me Autoritetet anëtare në unifikimin e standardeve e praktikave të trajtimit të çështjeve të privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave personale.

Kreu i Komisionit të Informatikës dhe Lirive të Francës, znj. Isabelle Falque-Pierrotin, u zgjodh në postin e Presidentit të Komitetit Ekzekutiv, duke zëvendësuar në këtë detyrë homologun e saj neozelandez, z. John Edwards. Në përbërje të Komitetit Ekzekutiv janë edhe Komisioneri i Privatësisë së Kanadasë, z.Daniel Therrien; Komisioneri i Burkina Fasos, znj. Marguerite Ouedraogo Bonane; Komisioneri i Mbretërisë së Bashkuar, znj. Elizabeth Denham; Komisioneri i Hong Kongut, z. Stephen Kai-yi Wong; Supervizori Evropian i Mbrojtjes së të Dhënave, z. Giovanni Buttarelli dhe Komisioneri i Bullgarisë, z. Ventislav Karadjov.