Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale zhvilloi në bashkëpunim me Akademinë e Sigurisë, në datat 21-22 nëntor 2017, trajnimin “Informim dhe Privatësi”. Në këtë aktivitet morën pjesë staf akademik dhe administrativ nga institucioni arsimor i Policisë së Shtetit.

Z. Besnik Dervishi, në përshëndetjen e tij, theksoi “rëndësinë e mbështetjes për Policinë e Shtetit, që ajo të zbatojë standardet më të mira për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve. Transparenca lufton korrupsionin dhe sjell mirëqeverisje”. Ndërsa, z. Bilbil Memaj, Rektori i Akademisë së Sigurisë, “vlerësoi domosdoshmërinë dhe momentin e zhvillimit të këtij trajnimi për të dy këto fusha dhe rolin që ato kanë në edukimin dhe punën e përditshme të punonjësve të policisë”.

Në ditën e parë të trajnimit të pranishmit u njohën me parimet kryesore të përpunimit të të dhënave, që parashikohen në ligjin 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar. Gjithashtu, u trajtua edhe ligji 19/2016 “Për masat shtesë të sigurisë publike” dhe Udhëzimet nr. 3 (përpunimi i të dhënave me sisteme videosurvejimi) dhe nr. 46 (niveli i sigurisë së përpunimit të të dhënave nga masat shtesë të sigurisë) të Komisionerit, në raport me respektimin e të drejtës së qytetarëve për privatësi. Këto akte normojnë detyrimet e “kontrolluesve” dhe të drejtat e individit në rastet e keqpërdorimit të të dhënave personale. Në ditën e dytë u trajtuan çështje që preken nga ligji 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, zbatimi i unifikuar i të cilit është instrument për rritjen e llogaridhënies së Autoriteteve Publike. Nëpërmjet rasteve praktike, të pranishmit u njohën me vendimmarrjen e Zyrës së Komisionerit në të dy këto fusha. Mbikëqyrja e vazhdueshme e akteve rregullatore rrit ndërgjegjësimin e të gjithëve për respektimin e privatësisë së qytetarëve dhe garantimin e të drejtës së tyre për informim.