3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Forcimi i rolit të koordinatorit të të drejtës për informim, takimi i dytë i “Grupit të Fokusuar”

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në bashkëpunim me Fondacionin “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë” (OSFA – Soros) organizuan takimin e dytë të “Grupit të Fokusuar në lidhje me kapacitetet e koordinatorit të të drejtës për informim”.

Në këtë tryezë të rrumbullakët morën pjesë përfaqësues të Drejtorive Juridike apo koordinatorë të organeve të vetëqeverisjes vendore dhe u diskutuan problematika e çështje për përmirësimin e procesit të përmbushjes së detyrimeve që parashikon ligji 119/2014 “Për të drejtën e informimit”. Z. Besnik Dervishi në fjalën e tij nënvizoi se “e drejta e informimit merr një rëndësi të veçantë për qytetarin duke qënë në kontakt të drejtpërdrejtë dhe të përditshëm me organet e pushtetit vendor. Zbatimi i plotë i ligjit “Për të drejtën e informimit” garanton transparencën e këtyre institucioneve në raport me publikun, ashtu si edhe përmbushja e detyrimeve të ligjit “Për njoftimin dhe konsultimin publik” rrit pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje”.

Fondacioni Soros dhe Zyra e Komisionerit po zbatojnë projektin “Matja e kapaciteteve të koordinatorëve të të drejtës për informim dhe koordinatorëve të njoftimit dhe konsultimit publik”. Kjo nismë ka si synim të forcojë rolin e koordinatorit në strukturat e Autoriteteve Publike nëpërmjet vlerësimit të aspekteve ligjore, institucionale dhe profesionale. Të tilla tryeza do të zhvillohen edhe me përfaqësuesit e institucioneve qendrore, të sistemit të drejtësisë dhe me ata të shoqërive tregtare me kapital publik, ndërkohë që takimi me përfaqësuesit e institucioneve të pavarura u zhvillua më datë 10 tetor 2017. Në përfundim të këtij projekti, do të propozohen ndërhyrje të karakterit ligjor apo administrativ, të cilat shërbejnë për të konsoliduar kapacitetet e koordinatorit, si hallka kryesore ndërlidhëse në procesin e zbatimit të të drejtës për informim.