Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në bashkëpunim me Fondacionin “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë” (OSFA – Soros) organizuan takimin e “Grupit të Fokusuar në lidhje me kapacitetet e koordinatorit të të drejtës për informim”.

Në këtë tryezë të rrumbullakët morën pjesë përfaqësues të Drejtorive Juridike apo koordinatorë të institucioneve të pavarura dhe u diskutuan problematika e çështje që do të përmirësojnë procesin e përmbushjes së detyrimeve që parashikon ligji 119/2014 “Për të drejtën e informimit”. Z. Besnik Dervishi në fjalën e tij theksoi se “zbatimi i ligjit “Për të drejtën e informimit” është, njëkohësisht, sfidë dhe përpjekje për ndryshimin e kulturës në administratën publike, për më shumë transparencë dhe për të luftuar korrupsionin. Kjo është një reformë po aq e rëndësishme sa edhe reforma në drejtësi, pasi ndryshon tërësisht mentalitetin e zyrtarëve, mënyrën e qeverisjes dhe rrit nivelin e llogaridhënies ndaj publikut”.

Fondacioni Soros dhe Zyra e Komisionerit po zbatojnë projektin “Matja e kapaciteteve të koordinatorëve të të drejtës për informim dhe koordinatorëve të njoftimit dhe konsultimit publik”. Kjo nismë ka si synim të forcojë rolin e koordinatorit në strukturat e Autoriteteve Publike nëpërmjet vlerësimeve të aspekteve ligjore, institucionale dhe profesionale. Të tilla tryeza do të zhvillohen edhe me përfaqësuesit e institucioneve qendrore, atyre të vetëqeverisjes vendore, të sistemit të drejtësisë dhe me shoqëritë tregtare me kapital publik. Në përfundim të këtij projekti, do të propozohen ndërhyrje të karakterit ligjor apo administrativ, të cilat shërbejnë për të konsoliduar kapacitetet e koordinatorit, si hallka kryesore ndërlidhëse në procesin e zbatimit të të drejtës për informim.