Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mbajti një prezantim në Konferencën ndërkombëtare “Mbrojtja e të dhënave dhe e drejta e informimit – në kontraditë apo në mbështetje të njëra-tjetrës?”, organizuar nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Shtetit të Brandenburgut në Gjermani.

Znj. Ardita Shehaj, Drejtor i Drejtorisë së të Drejtës për Informim, mbajti prezantimin me temë “Publikimi proaktiv në internet i informacionit të Autoriteteve Publike, shembulli i një platforme shqiptare”. Gjatë fjalës së saj, znj. Shehaj, i njohu të pranishmit me eksperiencën e Zyrës së Komisionerit në këtë fushë dhe posaçërisht, me funksionimin e portalit “Pyetshtetin.al”. Kjo platformë online e integruar është ngritur për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe grupeve të ndryshme të interesit për të patur akses më të madh në informacionin me karakter publik.

Konferenca mblodhi përfaqësues nga Autoritete, të organizatave jo fitimprurëse dhe bota akademike nga vende të ndryshme të Evropës. Ata shkëmbyen ide dhe ndanë eksperienca konkrete, të cilat shërbejnë për më shumë transparencë në funksionimin e shtetit të së drejtës.