Reforma në Drejtësi ka qënë në qendër të vëmendjes së opinionit publik, duke qënë se transparenca, llogaridhënia dhe lufta kundër korrupsionit janë objektivat e saj madhore. Respektimi i balancës mes të drejtës për informim dhe mbrojtjes së të dhënave personale ka qënë udhërrëfyesi i Autoritetit në dhënien e opinioneve për Kuvendin e Shqipërisë dhe institucionin e Avokatit të Popullit për kandidatët dhe përzgjedhjen e anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Njëkohësisht, me rëndësi për opinionin publik është njohja e tij edhe me rekomandimet e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Transparenca në këtë proces është vlerësuar si një qasje e domosdoshme, me qëllim garantimin e një rezultati përfundimtar në përputhje me pritshmëritë e publikut për këtë Reformë. Nëpërmjet këtij standardi, Zyra e Komisionerit inkurajon vazhdimisht të gjitha institucionet e tjera të përfshira, që të publikojnë në faqet e tyre zyrtare në internet, si pjesë e programeve të transparencës, vlerësimet dhe opinionet e dhëna për kandidaturat e paraqitura. Informacioni është pushtet dhe në demokraci pushteti i përket qytetarëve.

Gjatë gjysmës së parë të vitit 2017, vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe trajtimit të ankesave të para në përputhje me ligjin “Për njoftimin dhe konsultimin publik”. Vendimmarrja në këtë fushë është me rëndësi të madhe për ndryshimin e mentalitetit të administratës publike, si një reformë po aq e nevojshme në modernizimin e shtetit dhe pjesë e luftës kundër korrupsionit.

Opinionet mund t’i konsultoni në adresën tonë zyrtare www.idp.al në menunë “Njoftimi dhe konsultimi publik/Dhënie mendimi për projekt aktet/2017”, vendimet mund t’i konsultoni në menunë “Njoftimi dhe konsultimi publik/Vendime/2017”.