3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

E drejta për informim, reformë në mentalitetin e administratës publike

Përmbushja e detyrimeve që rrjedhin nga legjislacioni për të drejtën e informimit është një nga kushtet themelore për një administratë publike të hapur dhe efikase në shërbim të qytetarit. Nëpërmjet mbikëqyrjes së vazhdueshme të zbatimit të tij, Zyra e Komisionerit bashkëpunon dhe i nxit Autoritet Publike për më shumë transparencë në veprimtarinë e tyre.

Për periudhën janar-qershor 2017 janë depozituar 302 ankesa nga individë, shoqëria civile apo media. Vlen të theksohet fakti se rreth 2/3 e tyre janë zgjidhur me ndërmjetësim, pas ndërhyrjes së Zyrës së Komisionerit. Kjo e dhënë është tregues i qartë se Autoritetet Publike duhet ende të standardizojnë mekanizmat e funksionimit të tyre të brendshëm. Ankesat prekin një spektër të gjerë të veprimtarisë së organeve shtetërore ekzekutive – qendrore e vendore; të sistemit të drejtësisë; institucioneve të pavarura apo dhe shoqërive tregtare në pronësi publike. Në përmbushje të detyrimeve ligjore janë zhvilluar 41 inspektime në terren, ndërsa 52 ankesa kanë rezultuar jashtë afatit, jashtë objektit apo të paplota. Për gjetjet e konstatuara gjatë shqyrtimit të rasteve, Komisioneri ka dalë me 55 Vendime.

Vëmendje i është kushtuar edhe përmbushjes së detyrimeve të tjera ligjore, sidomos përmirësimit të programeve të transparencës, që të reflektojë specifikat institucionale. Nga ana tjetër, zhvillimi i disa aktivitete kombëtare dhe rajonale trajnuese ka patur në fokus forcimin e rolit të “koordinatorit për të drejtën e infomimit”, si mjaft të rëndësishëm në procesin e trajtimit të kërkesave të qytetarëve, në ndihmë të të cilëve është edhe portali pyetshtetin.al. Zyra e Komisionerit konstaton dhe vlerëson angazhimin serioz të institucioneve shtetërore për adresimin e problematikave që ndeshen gjatë zbatimit të ligjit për të drejtën e informimit.

Vendimmarrjen e Zyrës së Komisionerit mund ta konsultoni në adresën tonë zyrtare www.tiranaticked.online në menunë “E drejta e informimit/Vendime/2017”, ndërsa në menunë pyetshtetin.al/ankesat mund të konsultoni Regjistrin Kombëtar të Ankesave.