3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Konferenca rajonale në Sarandë për të drejtën e informimit

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale organizoi në qytetin e Sarandës konferencën rajonale “E drejta për informim, autoritetet publike, koordinatori dhe programet e transparencës”. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të bashkive të Sarandës, Delvinës, Finiqit dhe Konispolit; të organeve të drejtësisë; institucioneve qendore në nivel vendor; nga shoqëria civile; media, etj.

Z. Besnik Dervishi, në fjalën e tij tha se “konferenca të kësaj natyre janë zhvilluar në të gjithë territorin e vendit dhe theksoi se ligji “Për të drejtën e informimit” përbën një revolucion në ndryshimin e mentalitetit dhe kulturës së administratës publike”. Zyra e Komisionerit vlerëson angazhimin e institucioneve shtetërore dhe bashkëpunon me to për adresimin e problematikave që ndeshen gjatë zbatimit të ligjit. Njëkohësisht, duhet forcuar roli i koordinatorit për të drejtën e informimit, si dhe të përmirësohen programet e transparencës për të reflektuar specifikat e Autoriteteve Publike.

Zyra e Komisionerit mbajti një prezantim për të pranishmit duke i njohur ata në mënyrë të detajuar me komponentët e këtij ligji, me funksionimin e Autoritetit tonë dhe me raste praktike. Prezantimi shërben si një udhërrëfyes në procesin e trajtimit të kërkesave të qytetarëve. U vlerësua me rëndësi hartimi, plotësimi me sa më shumë informacion dhe përditësimi i programit të transparencës nga Autoritetet Publike. Zyra e Komisionerit prezantoi edhe funksionet e portalit pyetshtetin.al si një platformë e integruar informative për qytetarët.

Me konferencën e Sarandës u shënua përmbyllja e Programit të Konferencave Rajonale të zhvilluara nga Zyra e Komisionerit në periudhën nëntor 2015 – korrik 2017 në të gjithë vendin. Në këtë takim të fundit u analizuan ecuria e zbatimit të ligjit “Për të drejtën e informimit” dhe problematikat e konstatuara, me synimin që trajtimi i kërkesave të qytetarëve të bëhet në mënyrë të standardizuar.