3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Trajnimi “Videosurvejimi dhe mbrojtja e të dhënave personale”

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në bashkëpunim me Prezencën e OSBE në Shqipëri organizuan trajnimin me temë “Videosurvejimi dhe mbrojtja e të dhënave personale”.

Aktiviteti kishte për qëllim prezantimin e rregullave dhe parimeve të mbrojtjes së privatësisë në raport me procesin e videosurvejimit. Pjesëmarrës në trajnim ishin përfaqësues të institucioneve qendrore; gjykatave; prokurorisë; policisë; organeve të vetëqeverisjes vendore: sistemit të arsimit dhe shëndetësisë; agjencive të ndryshme të shërbimeve publike; sistemit bankar: kompanive të telekomunikacionit,  sigurimeve apo call center; shoqërive të ruajtjes dhe sigurisë fizike; të shoqatave të ndryshme të biznesit; medias, etj.

Z. Besnik Dervishi në përshëndetjen e tij theksoi se “të drejtat themelore të njeriut  janë shtyllat e një shoqërie të zhvilluar dhe demokratike. Mbrojtja e të dhënave personale të shtetasve garantohet nga neni 35 i Kushtetutës, ligji 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” dhe aktet nënligjore të Komisionerit të dala në zbatim të tij. Çdo kontrollues – publik apo privat, duhet të përmbushë detyrimet e përcaktuara ndaj qytetarit”. Aktivitetin e përshëndetën edhe përfaqësuesit e Prezencës së OSBE, znj. Sarah McGuckin dhe Policisë së Shtetit, z. Albert Dervishaj.

Zyra e Komisionerit mbajti për pjesëmarrësit prezantime për legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale (ligji 9887/2008) dhe përpunimin e tyre nga sistemet e video survejimit në ndërtesa dhe mjedise të tjera (Udhëzimi nr. 3 i Komisionerit). Këto dokumenta normojnë këtë proces në përcaktimin e të drejtave dhe detyrimeve të kontrolluesve. Mbikëqyrja e vazhdueshme dhe vendimmarrja e Zyrës së Komisonerit në këtë drejtim ka rritur ndërgjegjësimin e të gjithëve për respektimin e privatësisë dhe mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve.

Ndërsa, një vëmendje e posaçme në trajnim iu kushtua zbatimit të ligjit të ri 19/2016 “Për masat shtesë të sigurisë”, si dhe Udhëzimit nr. 46 i Komisionerit “Për përcaktimin e nivelit të sigurisë për përpunimin e të dhënave personale nëpërmjet sistemeve të sigurisë, në zbatim të ligjit nr. 19/2016 “Për masat shtesë të sigurisë publike”. Në këto akte përcaktohen parimet specifike në përpunimin e ligjshëm të të dhënave personale të qytetarëve dhe mbrojtja e privatësisë së tyre. Videosurvejimi është një nga elementët e sigurisë më të përdorur kohëve të fundit nga kontrolluesit publikë dhe privatë. Zbatimi i detyrimeve ligjore në këtë fushë, njëkohësisht, është në funksion edhe të përmirësimit të klimës për një ekonomi të qëndrueshme.