Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në bashkëpunim me Universitetin e Vlorës “Ismail Qemali” dhe me mbështetjen e Prezencës së OSBE në Shqipëri zhvilluan në datat 30 maj-2 qershor 2017 Shkollën Verore “Informim dhe Privatësi”. Organizimi i këtij aktiviteti ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimit të qytetarëve për ushtrimin e të drejtës së privatësisë dhe të qasjes në informacionin zyrtar. Gjatë 4 ditëve të zhvillimit të Shkollës Verore u trajnuan mbi 100 studentë dhe staf akademik e administrativ të Universitetit të Vlorës.

Në aktivitet u trajtuan tema dhe raste konkrete nga praktika shqiptare dhe ajo evropiane në fushat e mbrojtjes së të dhënave personale dhe në atë të të drejtës për informim. Stafi i Zyrës së Komisionerit mbajti prezantime si për kuadrin rregullator, ashtu edhe për funksionimin dhe kompetencat e Institucionit. Të pranishmit u njohën nga trajtimi i rasteve konkrete me procedurat e kërkesës për informim, shqyrtimin e ankesave, rolin e koordinatorit, programin e transparencës së Autoriteteve Publike, si dhe me portalin pyetshetin.al.

Të pranishmit u trajnuan, veçanërisht, për të drejtat e individit si “subjekt i të dhënave personale” dhe detyrimet e “kontrolluesve”, ndërsa u njohën edhe me funksionet e aplikacionit “IDP Ankesa”. U prezantuan risitë e Rregullores së re të Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave të BE që hyn në fuqi në maj 2018; siguria në përdorimin e të dhënave në rrjetet sociale, në Internetin e Gjërave (IoT) dhe Cloud Computing; ç’janë Big Data, etj. Po ashtu, studentët u njohën edhe me parimin e balancës mes mbrojtjes së privatësisë dhe interesit publik në legjislacionin evropian.

Në ceremoninë e ndarjes së certifikatave morën pjesë z. Bernd Borchardt, Kreu i Prezencës së OSBE në Shqipëri; z. Besnik Dervishi, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe z. Roland Zisi, Rektor i Universiteti të Vlorës “Ismail Qemali”.

Në fjalën e tij, Ambasadori Borchardt e cilësoi “me shumë rëndësi bashkëpunimin e OSBE me Zyrën e Komisionerit”, ndërsa “u bëri thirrje studentëve të marrin iniciativën për ndryshim”. Komisioneri Dervishi në përshëndetjen e tij vlerësoi “pjesëmarrjen dhe interesin e lartë për Shkollën Verore”, duke theksuar se “edukimi i individit me të drejtat dhe liritë e tij themelore që në bankat e shkollës ka rëndësi për një shoqëri të zhvilluar dhe demokratike”. Ndërsa, Rektori Zisi tha se “këto aktivitete janë të nevojshme jo vetëm për rritjen e njohurive, por edhe për të nxitur transparencën e institucioneve duke respektuar privatësinë e individit”.