Miratimi në vitin 2014 dhe zbatimi i ligjeve të reja “Për të drejtën e informimit” dhe “Për njoftimin dhe konsultimin publik” janë nga treguesit e rëndësishëm të renditjes së Shqipërisë për vitin 2016 në vendin e 50-të në botë sipas indeksit Open Data Barometer. Të dhënat për vendin tonë publikohen për herë të parë, ndërsa janë listuar gjithsej në këtë renditje 115 shtete. Indeksi publikohet për herë të katërt nga Fondacioni World Wide Web dhe analizon parimet e qeverisjes së hapur, transparencës dhe llogaridhënies.

Për rajonin e Ballkanit Perëndimor vendi ynë ka pozicionimin më të mirë në fushën e të drejtës së informimit. Indeksi OPB vlerëson maksimalisht ligjin shqiptar, për risitë që ai ka sjellë në afate e procedura, monitorimin e rreptë të Autoriteteve Publike, si dhe në penalizimin e shkeljeve. Në përgjithësi, kuadri rregullator i seksionit të lirive dhe të drejtave të qytetarëve ka marrë më shumë pikë në këtë indeks. Ky është vlerësimi i dytë pozitiv për Shqipërinë në një kohë të shkurtër, pas renditjes në vendin e 6-të në botë nga analizimi që i ka bërë ligjit shoqata “Acces Info Europe”.

Prej disa vitesh vendi ynë është pjesë e Nismës së Partneritetit për Qeverisje të Hapur (OGP). Objekt i këtij vrojtimi është vlerësimi i gatishmërisë për rritjen e transparencës, shkallën e zbatimit të reformave rregullatore dhe ndikimin që ato kanë dhënë në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.