Konferenca Ndërkombëtare e Komisionerëve të Privatësisë dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale përmbylli fazën e përzgjedhjes së “Çmimeve botërore 2017 për privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave personale”. Kjo iniciativë organizohet për herë të parë dhe synon shkëmbimin e eksperiencës mes Autoriteteve për forcimin e legjislacionit dhe rritjen e ndërgjegjësimit për qytetarët, sidomos në edukimin digjital.

Katër janë kategoritë ku janë paraqitur 90 projekte: a) kërkim shkencor; b) zgjidhje të mosmarrëveshjeve dhe zbatim legjislacioni; c) edukimi dhe mbrojtja; d) përdorimi i mjeteve online. Pjesëmarrja sipas rregullores ishte pa limit në secilën prej kategorive dhe numrit të projekteve. Zyra e Komisionerit është paraqitur në këtë konkurrim me “Shkollën Dimërore Informim dhe Privatësi 2017” në kategorinë e edukimit dhe me aplikacionin “IDP Ankesa” në kategorinë e përdorimit të mjeteve online. Pikërisht, në këto kategori është edhe pjesëmarrja më e lartë, respektivisht me 46 dhe 25 projekte.

Këto iniciativa u realizuan nga Zyra e Komisionerit gjatë këtij fillim viti në kuadër të javës së privatësisë dhe kulmuan me kremtimin e 28 Janarit-Ditës së Mbrojtjes së të Dhënave Personale. Në Shkollën Dimërore u trajnuan 60 studentë dhe staf akademik e administrativ të Universitetit të Tiranës. Ndërsa, nëpërmjet aplikacionit qytetarët mund të ankohen direkt nga telefoni i tyre në mënyrë të shpejtë e komode. Të dy këto iniciativa synojnë rritjen e ndërgjegjësimit të individit dhe shoqërisë për ushtrimin e të drejtave të tyre në mbrojtjen e privatësisë.

Përzgjedhja e më të mirëve në çdo kategori do të realizohet nga një komision i posaçëm dhe fituesit do të shpallen në një prej sesioneve të Konferencës së 39-të Botërore, që do të zhvillohet në muajin shtator. Prej më shumë se 4 dekadash, ky është forumi qendror i trajtimit të çështjeve të fushës së mbrojtjes së privatësisë e ku 115 Autoritete nga e gjithë bota janë anëtarë të tij.

Award entries: Education and advocacy

Award entries: Use of online tools