3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Zyra e Komisionerit marrëveshje bashkëpunimi me Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e Ish Sigurimit të Shtetit

U zhvillua sot ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish Sigurimit të Shtetit dhe Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Dokumenti është firmosur nga titullarët e institucioneve, znj. Gentiana Sula dhe z. Besnik Dervishi.

Kjo marrëveshje është një instrument për më shumë transparencë, si një model për shoqërinë e hapur dhe demokratike, ku të drejtat dhe liritë e njeriut përbëjnë themelin e saj solid. Zyra e Komisionerit është e angazhuar që të shkëmbejë njohuritë dhe praktikat më të përparuara në mbrojtje të të dhënave personale. Ndërsa, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish Sigurimit të Shtetit, si një institucion i ri, garanton se këtë proces do ta përmbushë në respekt të plotë të privatësisë së individit, pa cenuar interesin publik.

Kreu i Autoritetit, znj. Sula, vlerësoi se “kjo marrëveshje do të sigurojë se procesi i informimit mbi dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit, për të cilin ka pritshmëri dhe sensibilitet të lartë, do të kryhet me standarde maksimale”. Nga ana e tij, Komisioneri Dervishi theksoi se “legjislacioni në fuqi, për fushat e kompetencave që mbulojnë të dy institucionet, garanton mbikëqyrjen e plotë të zbatimit të të drejtave të individit në një shoqëri demokratike në zhvillim”.

Marrëveshja parashikon, gjithashtu, dhënien e opinioneve për hartimin e akteve të ndryshme ligjore e nënligjore; shkëmbimin e informacioneve në funksion të veprimtarisë respektive të institucioneve tona; organizimin e aktiviteteve të përbashkëta apo përgatitjen dhe shkëmbimin e botimeve. Një aspekt me rëndësi në këtë marrëveshje është edhe programi i transparencës së Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish Sigurimit të Shtetit, duke marrë në konsideratë specifikën e institucionit dhe ku Zyra e Komisionerit do të asistojë në hartimin e tij. Marrëveshja promovon kulturën e gjithëpërfshirjes  për njohjen dhe ushtrimin e të drejtave të qytetarëve.

 Marrëveshja e bashkëpunimit