3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Fushata ndërgjegjësuese “Privatësi dhe Siguri”

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale zhvilloi një takim informues me përfaqësues të Drejtorive Rajonale dhe Zyrave Arsimore të vendit, në nisje të fushatës ndërgjegjësuese “Privatësi dhe Siguri”.

Qëllimi i kësaj tryeze ishte prezantimi i Rezolutës për “Kuadrin e aftësimit të mësuesve të shkollave 9-vjeçare mbi mbrojtjen e të dhënave personale të nxënësve”, të aprovuar në Konferencën e 38-të Ndërkombëtare të Komisionerëve të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Privatësisë. Njëkohësisht, u prezantua edhe Studimi “Privatësia dhe siguria e të dhënave personale gjatë përdorimit të rrjeteve sociale nga grupmosha 15-18 vjeç”, i hartuar nga Autoriteti. Të dy këto dokumenta do të konsultohen me mësues të arsimit të detyrueshëm në këtë fushatë ndërgjegjësuese gjatë gjithë vitit, për zgjerimin e njohurive të brezit të ri për privatësinë.

“Kuadri i aftësimit të mësuesve” synon edukimin me përgjegjshmëri në përdorimin e teknologjive të reja. Ai bazohet në 9 parime kryesore, të cilat u japin nxënësve njohuritë e mjaftueshme për mbrojtjen efektive të të dhënave personale në mjedisin digjital. Shpesh, në arsimin e detyrueshëm fëmijët janë të ekspozuar ndaj fenomeneve negative të përdorimit të pakontrolluar të rrjeteve sociale. Zyra e Komisionerit po bashkëpunon me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit në mënyrë që parimet që përbëjnë “Kuadrin e aftësimit të mësuesve” të përfshihen në kurrikulën e arsimit 9-vjeçar në një të ardhme të afërt.

Ndërsa, Studimi është produkt i fushatës 1-vjeçare ndërgjegjësuese “Privatësia dhe siguria e të dhënave gjatë përdorimit të rrjeteve sociale nga të rinjtë”. Stafi i Zyrës së Komisionerit zhvilloi takime me nxënës e mësues në 36 shkolla të mesme të përgjithshme të të gjithë vendit. Gjetjet e këtij studimi mund t’i konsultoni duke vizituar  faqen tonë zyrtare në internet.