3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Në “Ditën e internetit të sigurt” Zyra e Komisionerit prezanton dy dokumenta

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në bashkëpunim me Ministrin e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike organizuan aktivitetin në kuadër të “Ditës së internetit të sigurt”. Në këtë event, u prezantua Studimi “Privatësia dhe siguria e të dhënave personale gjatë përdorimit të rrjeteve sociale nga grupmosha 15-18 vjeç”, i hartuar nga Autoriteti dhe Rezoluta për “Kuadrin e aftësimit të mësuesve të shkollave 9-vjeçare mbi mbrojtjen e të dhënave personale të nxënësve” të aprovuara në Konferencën e 38-të Ndërkombëtare të Komisionerëve të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Privatësisë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, z. Besnik Dervishi, vlerësoi se “këto dokumenta përbëjnë një bazë të mirë për të inicuar një diskutim gjithëpërfshirës për të edukuar brezin e ri me parime të shëndosha dhe me njohuri të mjaftueshme për mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave personale. Të rinjtë janë të ekspozuar dhe shpesh, subjekte të pasojave negative të përdorimit të rrjeteve sociale. Është detyrimi ynë institucional që të krijojmë standardet më të mira për përdorimin e sigurt të internetit”.

Në këtë aktivitet e pranishme ishte znj. Nora Malaj, zv/ministër i Arsimit dhe Sportit dhe përfaqësues të ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike. Gjithashtu, të pranishëm ishin edhe përfaqësue nga partnerët mbështetës të këtij eventi, ALBtelecom, Intesa San Paolo Bank dhe Tirana Bank.

Studimi është produkt i fushatës 1-vjeçare “Privatësia dhe siguria e të dhënave gjatë përdorimit të rrjeteve sociale nga të rinjtë”, ku u zhvilluan takime me nxënës e mësues në 36 shkolla të mesme të përgjithshme të të gjithë vendit. Për të krijuar një panoramë të kuptueshmërisë së të drejtave të tyre të rinjve iu shpërnda edhe një pyetësor. Ndër gjetjet kryesore përmendim se adoleshëntët i përdorin në mënyrë masive rrjetet sociale – 96% e të pyeturve, por kjo grup-moshë shpesh i neglizhon masat e sigurisë për mbrojtjen efektive të privatësisë edhe pse ka njohuri të mjaftueshme për to.

Si fenomen i përhapur është ai i të paturit nga 2 deri në 5 profile në rrjete të ndryshme sociale. Mbi 55% e të rinjve pranuan se kanë më shumë se 200 miq në një llogari të vetme, por më pak se gjysma e tyre deklaruan se i njihnin të gjithë. Thuajse 1/3 e të pyeturve pranuan se kanë qënë viktima të fyerje apo ofendimeve online. Ndërkohë, që të rinjtë kanë mosbesim që problemet e hasura t’i diskutojnë me prindërit dhe mësuesit, por preferojnë t’i raportojnë rrjeteve sociale apo t’i ndajnë me miqtë.

Rezoluta për “Kuadrin e aftësimit të mësuesve” ka si objektiv të sajin që në epokën digjitale, edukimi i përgjegjshëm në përdorimin e teknologjive të reja të jetë një prioritet për veprim. Ky Kuadër bazohet në 9 parime kryesore për t’iu dhënë nxënësve njohuritë bazën për mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave personale; ndër më kryesoret e tyre përmendim: cilat janë të dhënat personale dhe si përpunohen ato në epokën digjitale; respektimi i privatësisë dhe kontrolli mbi të dhënat; kuptueshmëria e legjislacionit; si dhe mbrojtja efektive online. Dokumenti do të diskutohet gjerësisht në një tur takimesh me mësuesit e shkollave 9-vjeçare të vendit gjatë këtij viti. Qëllimi është që në një të ardhme të afërt këto parime të përfshihen në kurrikulën e arsimit të detyrueshëm.

Privatësia dhe siguria e të dhënave personale gjatë përdorimit të rrjeteve sociale nga grupmosha 15-18 vjeç

Rezoluta për “Kuadrin e aftësimit të mësuesve të shkollave 9-vjeçare mbi mbrojtjen e të dhënave personale të nxënësve”