3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Rritja e transparencës së Autoriteteve Publike nga zbatimi i legjislacionit për të drejtën e informimit dhe njoftimit e konsultimit publik

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në përmbushje të detyrimeve të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” zhvilloi seancë dëgjimore me përfaqësues të Autoriteteve Publike qendrore nga Kryeministria; Ministria e Punëve të Jashtme; Ministria e Punëve të Brendshme; Ministria e Mbrojtjes; Ministria e Integrimit Evropian; Ministria e Financave; Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes; Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës; Ministria e Zhvillimit Urban; Ministria e Arsimit dhe Sportit; Ministria e Drejtësisë; Ministria e Kulturës; Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë; Ministria e Shëndetësisë; Ministria e Energjisë dhe Industrisë; Ministria e Mjedisit; Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave; Ministria e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike; Ministria e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe Ministria e Shtetit për Çështjet Vendore.

Kjo seancë kishte objekt të shqyrtimit të saj ankesën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit “për refuzimin e dhënies së informacionit dhe kopjen e dokumentave zyrtare” me këtë përmbajtje:

  • Nëse është hartuar plani vjetor që lidhet me procesin e vendimmarrjes për vitet 2015-2016, bazuar në ligjin “Për njoftimin dhe konsultimin publik”.
  • Cilat janë format dhe mënyrat me anë të të cilave janë bërë publike këto plane vjetore.
  • Listën e projekt-akteve që janë përfunduar së hartuari për periudhën janar–tetor 2016 dhe që i janë nënshtruar procesit të njoftimit dhe konsultimit publik.
  • Kopje të njoftimeve publike për procesin e konsultimit publik që janë bërë për secilin projekt–akt, si dhe kopje të njoftimeve për konsultime të drejtpërdrejta, për periudhën janar-tetor 2016.
  • Kopje të ftesave, agjendave, listë-prezencave dhe procesverbaleve të mbajtura në takimet publike të organizuara për konsultimin publik, për periudhën janar-tetor 2016.
  • Kopje të përmbledhjeve të rekomandimeve të pranuara dhe arsyeve të mospranimit të rekomandimeve për çdo projekt-akt.
  • Kopje të raportit të transparencës për procesin vendimmarrës për vitin 2015 dhe linkun ku janë publikuar.
  • Informacion lidhur me ankesat e palëve të interesuara për cenim të së drejtës për njoftim dhe konsultim publik dhe ecurinë e shqyrtimit të tyre, për periudhën janar-tetor 2016.

Zyra e Komisionerit konstaton se Autoritetet Publike qendrore përgjithësisht i respektojnë detyrimet që rrjedhin nga ligji “Për të drejtën e informimit”, duke u vënë në dispozicion kërkuesve dokumentat zyrtare. Ky është një instrument i rëndësishëm që synon nxitjen e kultivimit të kulturës së transparencës dhe llogaridhënies, për të qënë konkret në luftën ndaj fenomenit të korrupsionit. Nga ana tjetër, zbatimi më i plotë i detyrimeve të ligjit “Për njoftimin dhe konsultimin publik” do të kontribuonte në këtë proces, njëkohësisht, për forcimin e efikasitetit të punës së administratës publike në shërbim të qytetarëve.

Në këtë seancë dëgjimore, palët dhanë shpjegimet të detajuara për çështjet në shqyrtim dhe shprehën gatishmërinë për forcimin e bashkëpunimit. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, në përputhje me procedurën ligjore do të dalë me vendimmarrjen përkatëse.