3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Shkëmbim eksperience me Autoritetin skocez të të Drejtës për Informim

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale zhvilloi një vizitë njohëse dhe studimore në Zyrën e Komisionerit skocez për të Drejtën e Informimit. Ky aktivitet, që u zhvillua në datat 19-21 tetor, u mbështet nga instrumenti i Bashkimit Evropian, TAIEX (Technical Assistance Information Exchange Instrument of the European Commission).

Vizita kishte për qëllim vendosjen e urave të bashkëpunimit mes institucioneve tona, shkëmbimin e eksperiencës dhe njohjen me praktikat më të mira e më të avancuara të Autoritetit homolog skocez. Në këtë aktivitet, u prezantuan raste konkrete nga praktika skoceze, ku pala shqiptare u njoh me trajtimin e aspektit ligjor e administrativ të të drejtës për informim. Përfaqësuesit e të dy institucioneve prezantuan procedurat respektive të punës, nga pranimi dhe vlerësimi i ankesave, shqyrtimi i tyre në afate, e deri te vendimmarrja përfundimtare.

Një nga çështjet me rëndësi të diskutuar në këtë vizitë ishte ndihma konkrete e autoritetit skocez për vlerësimin e performancës së autoriteteve publike në raport me zbatimin e detyrimeve ligjore për të drejtën për informim. Po ashtu, pala shqiptare kërkoi asistencën për indikatorët e vlerësimit të performancës për stafin e Zyrës së Komisionerit, ku në të dyja këto drejtime Autoriteti skocez u tregua i gatshëm të ofrojë eksperiencën e tij të madhe.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua fushatave ndërgjegjësuese për publikun për njohjen me të drejtën kushtetuese të informimit dhe ushtrimin e saj në praktikë. U diskutua gjerësisht edhe për krijimin e portaleve të posaçme online për qytetarët për të rritur aksesin e tyre në informacionet publike.